Një dhëndër si Luizi, Zamira Kita zbulon më tepër nga “Në kuadër të dashurisë”!
Korça ka mikpritur për ditë me radhë kastin e “Në kuadër të dashurisë”. E si një korçarkë e vërtetë, nuk kishte sit ë mungonte në këtë projekt, as Zamira Kita. Aktorja shumë e dashur për publikun, do të luajë një personazh shumë interesant, që prek në mënyrë direkte dy protagonistët, Oltën dhe Luizin. Zamira duket se është në një pozitë që i bën bashkë të dy, por se si, ajo e ka treguar më me detaje ditën e sotme në emisionin “Ftesë në 5”në Top Channel…
Unë kam mbaruar mbrëmë xhirimet në Tiranë në orën 3 të mëngjesit. Kasti dhe gjithë stafi i këtij filmi kanë punuar për gati tre javë me orë të zgjatura, deri në orët e para të mëngjesit. Lodhja ka qenë vërtet e madhe, por kënaqësia ka qenë po aq e madhe. Unë jam e lumtur që jam lodhur për të realizuar këtë gjë.
Si erdhi ftesa për të qenë pjesë e filmit?
Ftesa ka qenë që një vit përpara nga Koloreto Cukali që është skenaristi dhe regjisori i filmit. Ai ka pasur idenë për këtë korçarkën, për familjen korçare dhe historinë e fëmijëve të kësaj familje. Ishte një skenar shumë i bukur që mua më ka tërhequr që në fillim që e kam parë. Kolo më ka menduar në atë rol. Ai thotë që kur e ka shkruar ka pasur në mend këtë korçarkën dhe unë edhe në film quhem Zamira. Unë gati-gati kam luajtur veten, por kjo Zamira e filmit është një tjetër karakter nga mua, ndryshon pak.
Kam patur fatin e madh dhe është nder për mua, të kem në krah si bashkëshort Ndriçim Xhepën. Kemi patur disa skena së bashku, kemi ndenjur në Korçë së bashku. Meson shumë nga profesionalizmi i Ndriçim Xhepës. Pastaj kasha tre fëmijët rreth vetes, dy vajzat e mia dhe dhëndri, Olta Gixhari, Sara Hoxha dhe Luiz Ejlli. Ndërkohë kasha dhe Roerd Toçe që ishte i dashuri i vajzës së vogël. Ka shumë personazhe të njohur, shumë aktorë të rinj dhe me përvojë që luajnë në këtë film. Kënaqësi më kanë dhënë shumë dhe Ylber Bardhi dhe Luan Jaha, me të cilët kam punuar dhe herë tjetër. Edhe me Oltën kam punuar herë tjetër në teatër. Them që ka qenë një ndër eksperiencat më të bukura për mua. Një eksperiencë shumë e veçantë që do ta mbaj mend gjatë. Jam shumë e lumtur që u bëra pjesë e këtij filmi.
Si ishte marrëdhënia me Luizin, dhëndrin e saj në film?
Unë jam një vjehërr që jo se nuk e do këtë dhëndrin, unë e kam pranuar sepse e do vajza. Por personazhi im ka disa rezerva ndaj këtij dhëndri. Mendon se nuk ka nivelin e kësaj familje korçare dhe i jep ndonjëherë urdhra. Bëhet pak më kompetente se sa duhet në marrëdhënien me dhëndrin dhe familjen e tij. Por në fakt e ka pranuar, e do dhe e respekton. Kur dalin në një ambient për të pirë diçka, i thotë “çohu e këndo se këndon shumë bukur”. Ajo do që të mburret me dhëndrin që di të këndojë bukur, t’u mburret korçarëve.