“5 Herë Jo”/Trailer i fundit konfimon zyrtarisht datën e premierës së filmit!
Mes suksesit të padiskutueshëm të “Në kuadër të dashurisë”, ka ardhur koha të flasim për një tjetër film shqiptar. Një tjetër komedi romantike që parashikojmë se do të përqafohet gjithashtu shumë nga publiku i gjerë.
Po flasim pikërisht për “5 Herë Jo”, filmin me protagonistë një ndër çiftet më të preferuara dhe të komentuara, Bora Zemani dhe Donald Veshaj. Prej disa muajsh tanimë është folur kudo në media për përgatitjet që po bëheshin mbi këtë projekt të ri filmik.
Dhe ja ku erdhi momenti që të ndajmë më shumë me ju! Zyrtarisht filmi, duke filluar nga data 13 Dhjetor, do të jetë në kinema. Lajmi u bë i ditur gjatë publikimit të trailer-it më të fundit, ku edhe njëherë na tregohen disa detaje më shumë rreth ngjarjes që do të trajtohet në këtë film.
“5 Herë Jo” do të tregojë pikërisht se dashuria shpesh na vjen papritur, bashkë me ulje-ngritjet e saj, aventurat, sfidat e vështirësitë, që e bëjnë plot ngjyra këtë histori magjike. Në një sondazh të bërë në faqen zyrtare të Cineplexx në Instagram, ky film kishte marrë më shumë vota nga pyetja e shtruar: “Cili mendoni se do të jetë filmi më i mirë deri në fund të vitit në Cineplexx?”. “5 Herë Jo” kryeson momentalisht me 74% të votave, pas tij vjen “Napoleon” me 20%, “Wish” me 4% dhe “Aquaman” me 3%. Na mbetet të presim dhe pak për të zbuluar më shumë mbi këtë film…