Audicioni dhe përzgjedhja në film, Sara Hoxha dhe Ledion Liço tregojnë më shumë rreth Arias!
Premiera e filmit “Në kuadër të dashurisë”, i pari prodhim i Top Channel Films mbajtur më datë 9 Tetor në Pallatin e Kongreseve bëri bashkë personazhe të njohur të ekranit shqiptar. Filmi me protagonist kryesor, Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin u prit mes emocioneve të shumta, ku një numër i madh njerëzish iu bashkuan pritjes në tapetin e kuq.
E që nga ajo ditë, filmi më i komentuar dhe më i shumëpritur nga publiku nuk ndalet. Por përveç produktit final, kurioziteti është gjithashtu shumë i madh dhe për prapaskenat e filmit, xhirimet, momentet e vështira apo të bukura të kastit gjatë realizimit të “Në kuadër të dashurisë”, apo dhe marrëdhëniet mes tyre.
“Në Kuadër të Xhirimeve” sigurisht që zbuloi detaje, ndjenja, emocione dhe momente ekskluzive nga i gjithë kasti.
Ledion Liço: Unë nuk do thoja se kam zgjedhur një aktor, mirëpo kam këmbëngulur që Sara Hoxha të ishte në film. Në fakt nuk ka qenë një bindja ime personale por për këtë kreditet duhet t’ia jap të gjitha Lori Hoxhës dhe Sara Hoxhës. Pavarësisht se për rolin e Arias në film patëm mbase më shumë audicione se sa për çdo rol tjetër, atyre u pëlqente shumë Sara.
Sara Hoxha: Mua propozimi më erdhi nga Lori Hoxha, ishte një surprizë sepse unë nuk kam patur kurrë eksperiencë në këtë fushe edhe nuk e prisja fare. Bëra audicionin por duke qenë se ishte gjatë periudhës së DWTS, unë isha shumë e fokusuar tek kërcimet. Pasi mbaroi DWTS, BBV mendoj që edhe produksioni kishte më shumë kohë që të merreshe me filmin. Rashë sërish në kontakt dhe erdha në Top për një audicion të dytë dhe e bëra së bashku me Roerdin.
Ledioni tregoi se Drejtori i Fotografisë, Rezart Gurashi e kishte pëlqyer idenë së rolin e Arias do ta luante Sara Hoxha dhe se edhe Koloreto e kuptoi se kjo ishte një zgjedhje e duhur.
Koloreto Cukali: Sara ishte një aktore e lindur, e pazbuluar ende. Ishte një bast, por mendoj që është një bast shumë i fituar. Ka dhënë një performancë që mua më ka mrekulluar, ka ndërtuar një karakter që unë besoj që do jetë shumë i dashur për publikun.