Salsano Rrapi
Salsano Rrapi, lindur në Elbasan, është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sociale, ndërsa në Akademinë e Arteve, ka ndjekur masterin për aktor. Në “Ethet e së Premtes”, viti 2005, ishte nata ku ai u bë i famshëm, pasi bëri një shaka në kohën dhe në vendin e duhur dhe që nga ai moment Salsano ka punuar gjithmonë të televizion. Është aktrimi, i cili erdhi si rrjedhojë e imitimit dhe humorit, dhe është kthyer padyshim në shtyllën kryesore të karrierës së tij. Përveçse është një show man, përgjatë këtyre viteve ai ka dëshmuar se është jo vetëm një producent i zoti por dhe një person që tek pjesa e skenarit ka ndërhyrë vet.
Personazhet e tij ikonik në emisionin e “Portokalli” janë të dashura për këdo që e ka parë atë. Kjo pasi Salsano përgjatë viteve i ka shkruar dhe i ka realizuar vetë historitë e tyre, këtu mund të përmendim edhe personazhin e gagaçit. Rrjedha e tij në këtë emision televiziv ndryshoi në momentin kur Agron Llakaj u largua si moderator dhe stafetën këtë radhë e mori vetë Salsano. Sigurisht moderimi dhe aktrimi janë dy gjëra të ndryshme, por me profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, ai ka arritur të përcjellë shfaqjet më të bukura në ekranet tona.
Përveç këtij emisioni, aktori ka marrë pjesë edhe në kinematografi, ku disa filma që ai ka realizuar janë: “Femrat” (2013), “The Brave” (2019) dhe seriale televizive si: “Skanderbeg” i vitit 2017. Edhe pse nuk ka realizuar shumë prodhime të tilla, ai erdhi më pranë njerëzve duke u bashkuar familjes së Top Albania Radio. Më Mars 2010 moderon emisionin “Rikoshet”, i cili kishte 3-vjet që kishte startuar. Salsano më pas erdhi edhe me programin “Ndryshe”.