Turne nëpër botë, “Në kuadër të dashurisë” në Zvicër, Belgjikë, Angli, Kanada…
Filmi “Në Kuadër të Dashurisë”, një prodhim i Top Media, i cili bëri bashkë aktorët profesionistë dhe personazhet më në zë të momentit, nuk ndal suksesin. Pas premierave në qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, është momenti që “Në Kuadër të Dashurisë” të udhëtojë nëpër botë.
Pritjes i erdhi fundi për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Zvicër. Nga data 9 Nëntor filmin tuaj të preferuar do të mund ta shihni në shumë qytete të Zvicrës. Po ashtu, kasti i filmit shkon në Zyrih të Zvicrës më datë 13 Nëntor, ku të gjithë do të kenë mundësi të takojnë yjet e filmit nga afër, për të shkëmbyer emocione dhe momente të paharrrueshme.
Shqiptarët e Belgjikës dhe Luksemburgut mund të shijojnë filmin dhe të përjetojnë të qeshura pafund që prej 8 Nëntorit, pasi filmi i tyre më i dashur do të shfaqet në kinema Kinopolis në Bruksel, Atnwerp, Ghent dhe Kirchberg – Lux.
Për herë të parë, një film shqiptar do të vijë nga 9 Nëntori në rrjetin më të madh të kinemave Odeon në Londër dhe në Birmingham. Data 11 nëntor rezervon “Në kuadër të dashurisë” në kinema Cineplexx në Selanik.
Filmin me protagonist Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari do të kenë mundësinë ta shijojnë që prej 16 nëntorit të gjithë ata që jetojnë në Itali dhe Suedi. Biletat janë në shitje për të parë filmin në Kanada më datë 19 Nëntor në Innis Town Hall Theater , Toronto.
Për të gjithë ata të tjerë që kanë humbur premierën e filmit në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi, prej datës 4 Nëntor mund të shihni filmin që po bën jehonë në Kërçovë në INQK “KOÇO RACIN“ dhe në kinema Cineplexx në Podgoricë. Suksesi i filmit nuk po di të ndalet ditë pas dite. “Në Kuadër të Dashurisë” vazhdon të thyejë rekorde dhe po del jashtë çdo parashikimi.