Zamira Kita zbulon më shumë rreth eksperiencës së saj në filmin “Në Kuadër të Dashurisë”!
Mbrëmjen e djeshme u mbajt premiera e madhe e “Në kuadër të dashurisë”. Ky film aq i shumëpritur nga publiku dhe aq i komentuar përgjatë muajve të fundit u shfaq për herë të parë në Pallatin e Kongreseve. “Në kuadër të dashurisë” përmban një kast të mahnitshëm aktorësh dhe personazhesh shumë të dashur për audiencën e gjerë.
Në një intervistë ekskluzive ishte edhe aktorja e njohur Zamira Kita, e cila në film luan një personazh që e ka emrin si vetë ajo. Sa e emocionuar është ajo për këtë film?
Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij filmi, sepse është filmi i parë i Top Channel. Falenderoj Top Channel dhe Koloreton që më bëri pjesë të këtij filmi. Jam e lumtur, sepse ky film është xhiruar në Korçë dhe Korça është dashuri. Filmi na ka mbërritur në shtëpi. Publiku do të ketë mundësi të shohë aktorë të mrekullueshëm, por jo vetëm kaq. Do të ketë gjëra shumë të bukura të Korçës si rrugicat, parku, pazari deri te varrezat e qytetit.
Një fakt interesant, siç e lartpërmendëm, është fakti se Zamira është e vetmja aktore e cila mban emrin e saj në film. Sa e ka ndihmuar kjo për rolin?
Më ka ndihmuar, sepse më është dukur sikur është Zamira në ato rrethana. Sigurisht që ka gjëra shumë të bukura brenda Zamirës së filmit që nuk i ka Zamira jashtë, por besoj që kanë gjëra të përbashkëta. Shpresojmë të kemi dalë mirë.