Gati për një tjetër komedi romantike?! “5 Herë Jo”, nga dhjetori në kinema!
Mes suksesit të padiskutueshëm të “Në kuadër të dashurisë”, ka ardhur koha të flasim për një tjetër film shqiptar. Një tjetër komedi romantike që parashikojmë se do të përqafohet gjithashtu shumë nga publiku i gjerë.
Po flasim pikërisht për “5 Herë Jo”, filmin me protagonistë një ndër çiftet më të preferuara dhe të komentuara, Bora Zemani dhe Donald Veshaj. Prej disa muajsh tanimë është folur kudo në media për përgatitjet që po bëheshin mbi këtë projekt të ri filmik.
Dhe ja ku erdhi momenti që të ndajmë më shumë me ju! Teksa na ndan fare pak nga premiera e “5 Herë Jo”, le të hyjmë pak më thellë në detajet e këtij filmi.
Në televizionin më të madh në vend po hidhet ideja për të realizuar show-n më të rëndësishëm i cili do të jetë programi kryesor i televizionit për sezonin e ardhshëm. Jora (Bora) është në garë me Klarën, një tjetër producente e televizionit, dhe të dyja janë të gatshme të bëjnë gjithçka për të fituar projektin, edhe me goditje nën brez. Jora dhe stafi i saj mendojnë se një armë e fortë mund të jetë sjellja në Shqipëri e Gjergjit (Donaldi), një regjisor shqiptar i cili prej vitesh jeton dhe punon me sukses ne Vienë. Gjergji ka famën e të qënit një regjisor kreativ, energjik, profesional dhe një djalë i qeshur, i thjeshtë, simpatik dhe naiv per të kuptuar hilet e shëmtuara që do t’i ndodhin në këtë eksperiencë. Në një udhëtim të organizuar nga pronari i televizionit për të gjithë stafin, në fund të të cilit do të shpallet fituesi i projektit, Jora dhe Gjergji do të përfshihen në një rrugëtim plot aventura, intriga dhe emocione të forta të cilat do ta çojnë Jorën përballë një zgjedhje.
“5 Herë Jo” do të tregojë pikërisht se dashuria shpesh na vjen papritur, bashkë me ulje-ngritjet e saj, aventurat, sfidat e vështirësitë, që e bëjnë plot ngjyra këtë histori magjike. A do ta presim krahëhapur dhe pa hezitim atë?!
Filmi do të shfaqet premierë në kinema në muajin dhjetor. Ajo që dimë deri më tani, është se kolona zanore e “5 Herë Jo” do të vijë nga Alban Skënderaj, kështu që prisni t’ju ‘shkrihen’ zemrat. Nëse jeni kuriozë për detaje të tjera, do t’ju duhet të prisni edhe pak…