“Është art kolektiv dhe pa njërin nuk bëhet”/ Amri Hasanlliu shpreh mirënjohjen për aktorët e filmit “Legjenda e Bastunit”!
Mbrëmjen e 16 Maj u mbajt premiera e “Legjenda e Bastunit”, një film dramatik me një mesazh dhe domethënie shumë të rëndësishme, me regji të Xhosli Rama dhe me distribucion nga Top Channel Films. Kinema Cineplexx në TEG u mbush me dashamirës dhe me persona mjaft të njohur të botës së medias në Shqipëri.
Pjesëmarrës në këtë premierë ka qenë edhe aktori protagonist Amri Hasanlliu, i cili vjen në film me rolin e Çeskut të ri. Me këtë version të modifikuar që po vjen sërish në kinema, si e sheh ai veten në ekranin e madh? Cilat janë përshtypjet e para të tij?
Normalisht kisha emocione. Plus që jam edhe natyrë shumë autokritik. Më dukej vetja shumë çuditshëm. E ke parasysh është ajo ndjesia që e regjistron veten, e dëgjon dhe pastaj thua ky është zëri im? E ke parasysh…
Cilat janë pritshmëritë e tij për këtë premierë?
Unë me atë llogarinë time e kam çuar diku tek 95% të pritshmërive të mia. Jam goxha i kënaqur si me atfin e aktorëve, si me stafin teknik, stafin e produksionit. Tek stafi i aktorëve dua të përmend Amosin, Ndriçimin, Klodjana Keco, Edvin Mustafa. Kam pasur më shumë skena me këto prandaj po i përmend, por një falenderim vlen për të gjithë, por veçanërisht për ta sepse kam pasur skena me ta dhe më kanë ndihmuar shumë. Se fundja kjo që bëjmë ne është art kolektiv edhe pa njërin nuk bëhet.