Edvin Mustafa për rolin e tij në film: “Rrallë herë të qëllon që të luash veten në disa etapa”!
Mbrëmjen e 16 Maj u mbajt premiera e “Legjenda e Bastunit”, një film dramatik me një mesazh dhe domethënie shumë të rëndësishme, me regji të Xhosli Rama dhe me distribucion nga Top Channel Films. Kinema Cineplexx në TEG u mbush me dashamirës dhe me persona mjaft të njohur të botës së medias në Shqipëri.
I ftuar në këtë premierë ka qenë aktori Edvin Mustafa, i cili në këtë intervistë ekskluzive na tregoi pak më shumë rreth rolit të tij në film dhe eksperiencën gjatë realizimit të xhirimeve.
Ishte një eksperiencë shumë ndryshe nga të tjerat për disa arsye. Domethënë gjëja që më ka pëlqyer më shumë gjatë proçesit të xhirimeve, edhe përse kanë kaluar disa muaj, ishte storyboard. Domethënë për aktorin është shumë e rëndësishme që të dijë se çfarë do të bëjë, ku po shkon, çfarë po bën. Mbase ju mendoni se gjithësecili duhet ta dijë punën e vetë se çfarë po bën, po puna jonë është menaxhim emocionesh të mira e të këqija. Kur aktori e di se ku po shkon, e di se ka siguri nga regjisori dhe në atë moment është i prirur që të japë maksimumin e tij.
Ai u shpreh se e veçanta e shumë aktorëve në këtë film ishte se luajtën personazhin në disa etapa të jetës së tyre, pra që në rini e deri në plakje.
Rrallë herë të qëllon që të luash veten në disa etapa, sepse disa personazhe i ka pasur në tre etapa. Të vegjël, në moshë madhore dhe mosha e tretë, e thënë ndryshe pensionistë ose pleq. Dhe unë pata fatin që e luajta vetëm në dy etapa. Në moshën 30-vjeçare dhe mbi 60.