Një dashuri e vjetër dhe e madhe, Korça bëhet sërish pjesë e ekranit të madh!
Korça është një dashuri e madhe e të gjithëve. Vendi ku na pëlqen të ‘strehohemi’ fundjavave, larg zhurmës së Tiranës dhe shumë larg kaosit. Një qytet i ngrohtë e që mund të ndihemi shumë kollaj si në shtëpinë tone.
Por përveç kësaj, Korça duket se është dhe vendi i preferuar i kineastëve për të xhiruar filma. Prej vitesh ky qyetet ka qenë sheshxhirimi i një sërë filmash shqiptarë.
Përmendim këtu “Tana”, filmi i parë shqiptar me metrazh të gjatë, i xhiruar pikërisht në rrethin e Korçës. Ky qytet duket se ka diçka kaq të veçantë që të tërheq si me magnet.
E kështu ka bërë dhe me regjisorët e mëdhenj në vitet e kaluara. Jo vetëm “Tana”, por mund të përmendim një numër të madh filmash që e kanë zgjedhur këtë qytet si destinacionin e preferuar të sheshxhirimeve.
“Përballimi”, “Karnavalet e Korçës”, “Steha e re”, “Dollia e dasmës sime”, janë vetëm disa nga këto filma. Por sigurisht që nuk mund të lëmë pa theksuar dhe “Zonja nga qyteti”, “Mësënjtorja”, “Dimri i fundit”, apo “Kush vdes në këmbë”.
Tashmë një tjetër film ka zgjedhur Korçën si qytetin e preferuar të tijin. “Në kuadër të dashurisë” xhiron pikërisht në këtë qytet, duke e bërë atë sërish pjesë të ekranit të madh pas shumë vitesh.
Dhe ashtu siç regjisori Koloreto Cukali theksoi; Tirana vetë është stresuese dhe mund t’i çojë çiftet drejt ndarjes. Kurse Korça mund t’i ribashkojë ata. Kështu që është zgjedhur si një fole dashurie për këtë film…