VASJAN LAMI
Vasjan Lami lindi më 21 Maj 1957 në Tiranë dhe është aktor në Teatrin Kombëtar me aktivitet teatral dhe në kinema, regjisor dhe dublues filmash shqiptar. Diplomohet në vitin 1982 për aktrim në Akademinë e Arteve në Tiranë me nota të shkëlqyera. Që nga ky vit punon në Teatrin Kombëtar duke realizuar gjatë kësaj periudhe një galeri rolesh jo vetem në teatër, por edhe në film. Ka mbledhur në arkivin e tij artistik mbi pesëdhjetë role. Ka luajtur në filma dhe pjesë teatrale, përkrah korifejve të kinemasë shqiptare, Sulejman Pitarkës, Sandër Prosit, Tinka Kurtit, Pjetër Gjokës apo Ndrekë Lucës. Personazhi i tij i parë në teatër është roli i Jakobinit tek drama “Shpërthime pranverore” e Bashkim Hoxhës, por ka pasur aktivitet të dendur deri tani, duke interpretuar në pjesë të Sofokliut, Shekspirit, Sam Shepardit, Vaclav Havelit apo Viktor Hygosë. Në kinematografi debutoi tek “Qortimet e Vjeshtes”. Në rolet e tij në filma përmendim “Kafeja e fundit” (2010), film me metrazh te shkurter, “Yllka” (2005), “Lule të kuqe, lule të zeza” (2003), “Natë pa hënë” (2001), “Funeral Business” (1999), “Valsi i ngrirë në Prishtinë” (1999), “Dasma e Sakos” (1998), “Lamerica” (1994), “Vitet e pritjes” (1990), “Shpella e piratëve” (1990), “Njerëz në rrymë” (1989), “Misioni përtej detit” (1988), “Një vit i gjatë” (1987), “Telefoni i një mëngjesi” (1987), “Kur hapen dyert e jetës” (1986), “Hijet që mbetën pas” (1985), “Fushë e blertë fushë e kuqe” (1984), “Gracka” (1983), “Plaku dhe hasmi” (1981), “Qortimet e vjeshtës” (1981).